Secondary Adv

BSH: Ekonomia po rritet mbi potencial dhe po gjeneron presione inflacioniste

Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare vijon të operojë mbi potencialin e saj, duke gjeneruar presione inflacioniste, ndërsa inflacioni bazë ra në 2.37 për qind në shtator.

Ekonomia shqiptare vijon të operojë mbi potencialin e saj, duke gjeneruar presione për rritjen e inflacionit. Në raportin e politikës monetare për tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se hendeku pozitiv i prodhimit po vjen drejt ngushtimit, megjithëse norma e shfrytëzimit të kapaciteteve mbetet mbi mesataren historike dhe kushtet në tregun e punës vijojnë të jenë të shtrënguara.


Sipas Bankës së Shqipërisë, këta tregues sinjalizojnë praninë e një disbalance midis kërkesës dhe ofertës, si në tregun e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe në tregun e punës. Kjo disbalancë ushtron presion për rritjen e inflacionit, por deri më tani ndikimi i saj është amortizuar pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve.


Ndonëse këta tregues mbeten disi mbi mesataret e tyre historike, nivelet aktuale sugjerojnë se presionet e brendshme inflacioniste janë përgjithësisht në linjë me objektivin e inflacionit. Paralelisht, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka kontribuar në zbutjen e inflacionit bazë dhe të brendshëm.


Inflacioni bazë zbret në 2.37 për qind në shtator

Në muajin shtator, inflacioni vjetor bazë u ul në 2.37 për qind, nga 2.78 për qind që kishte qenë një muaj më parë. Inflacioni bazë regjistroi rënie për të dytin muaj edhe në krahasim me një vit më parë, duke zbritur nën nivelin prej 3.07 për qind të shtatorit 2025.


Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë është qëndruar për tre muaj radhazi nën nivelin e inflacionit total në ekonomi, i cili në shtator arriti në 2.9 për qind.


Rënia e inflacionit bazë gjatë muajve të fundit lidhet kryesisht me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë kontributin kryesor në rritjen e këtij treguesi gjatë viteve të fundit.


Në shtator, inflacioni i qirave ra në 3.3 për qind, nga 6.6 për qind që kishte qenë një vit më parë. Kjo rënie duket se lidhet me mbylljen e ciklit 12-mujor, pasi që prej sezonit veror 2025 inflacioni i këtij grupi kishte shënuar një përshpejtim të ndjeshëm.


Si llogaritet inflacioni bazë?

Nënshporta që përdoret për llogaritjen e inflacionit bazë përfshin një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8 për qind të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.


Inflacioni bazë përjashton produktet që, për nga natyra, kanë luhatshmëri të lartë të çmimeve, si produktet ushqimore dhe energjetike. Qëllimi i llogaritjes së tij është të veçojë prirjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me karakter afatshkurtër.


Ky tregues është i rëndësishëm për të kuptuar tendencat afatgjata të çmimeve dhe monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.


Karburantet mbajnë të larta rreziqet inflacioniste

Ulja e inflacionit bazë ka lehtësuar për momentin presionet më të qëndrueshme inflacioniste mbi ekonominë. Megjithatë, rreziqet mbeten të larta për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, si rezultat i tensioneve gjeopolitike globale.


Në muajin tetor, inflacioni total në ekonomi shënoi një rritje të ndjeshme, duke arritur në 3.4 për qind.

Deri më tani, Banka e Shqipërisë ka preferuar të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, me pritshmërinë se vala inflacioniste do të jetë kalimtare dhe inflacioni do të rikthehet në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat